Eurolab në Panairin “Work & Study” – Mundësi të Reja për Profesionistët e Rinj
Panairi “Work & Study”, i organizuar për të 16-tin vit radhazi, u shndërrua në një mundësi të jashtëzakonshme për të rinjtë dhe profesionistët që të njihen me tregun e punës në Shqipëri. Më shumë se 80 biznese ofruan mbi 5,000 vende të lira pune, ndërsa një ndër pjesëmarrësit kryesorë në këtë event ishte edhe Eurolab Internacional Grup.
Eurolab, me qendër në Tiranë dhe zyra në disa shtete të rajonit, është një kompani lider në treg me mbi 30 vite eksperiencë në shitje, distribucion, import/eksport dhe zhvillim tregjesh. Me një rrjet të fuqishëm që i shërben mbi 30 milionë konsumatorëve, kompania ofron mundësi të shumta punësimi dhe zhvillimi profesional.
Në Work & Study, Nicolas Adams, HR Manager Group në Eurolab, ndau disa detaje mbi angazhimin e kompanisë në këtë event:
“Eurolab është një kompani distribucioni me mbi 30 vite në treg që operon në 10 shtete. Ne kemi disa nga brendet më premium të pijeve alkoolike dhe shumë brende të tjera të mirënjohura. Në ‘Work & Study’ jemi për të gjetur talente të reja për kompaninë tonë.”
Me mbi 400 punonjës në të gjithë rajonin, interesi për të qenë pjesë e ekipit të Eurolab ishte i lartë. Gjatë panairit, kompania vuri re një pjesëmarrje të madhe të të rinjve dhe profesionistëve nga fusha të ndryshme.
“Ditën e djeshme kishim më shumë studentë, ndërkohë që sot na kanë vizituar persona me një përvojë më të lartë. Kryesisht po kërkojmë kandidatë me background në financë, IT, ekonomi dhe fusha të tjera të ngjashme,” – u shpreh Adams.
Eurolab është një kompani ndërkombëtare që ofron shumë mundësi zhvillimi për të rinjtë dhe profesionistët që dëshirojnë të avancojnë në karrierë. Sipas Adams, një ndër avantazhet kryesore është mundësia për të filluar si praktikant dhe për të përparuar në hierarkinë e kompanisë.
“Eksperienca ndërkombëtare, një biznes global dhe shumë mundësi për zhvillim profesional. Mund të fillosh si një praktikant dhe, nëse performanca jote është e mirë, ke mundësi të rritesh dhe të arrish pozicione më të larta në kompani.”
Me një portofol të pasur që përmban mbi 80 marka të njohura botërore, Eurolab operon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Slloveni, Greqi dhe Qipro. Ky zgjerim i vazhdueshëm e bën kompaninë një ndër liderët më të mëdhenj të distribucionit në rajon.
Pjesëmarrja në panairin “Work & Study” është një dëshmi e angazhimit të Eurolab për të mbështetur dhe investuar në talentet e reja, duke u dhënë atyre mundësinë për një karrierë të suksesshme në një kompani me standarde ndërkombëtare.
6 Mars, 2025